Gjykata e Apelit, saktësisht Departamenti për Çështje Ekonomike, e ka aprovuar ankesën e të paditurës Radio Televizionit të Kosovës (RTK), në rastin ku ishte paditur nga N.SH “Grand Media”, duke e kthyer çështjen në rigjykim.
Gjykata Themelore në Prishtinë, me 9 mars 2018, kishte vendosur që të aprovoj pjesërisht si të bazuar kërkesë padinë e paditëses N.SH “Grand Media” dhe e kishte detyruar të paditurën RTK që t’ia paguajë shumën prej 482,813,54 euro, në emër të borxhit për periudhën kohore prej 1 maji 2012 e deri më 31 dhjetor 2012, për shkak të emetimit- transmetimit të emisioneve sipas kontratës të datës 14 shkurt 2011.
Tutje, në emër të dëmshpërblimit shumën prej 1,344,065.00 euro, gjithsej në total shumën prej 1.826,878.54 euro, me kamatë të cilën e paguajnë bankat vendore për mjetet e deponuara në kursim me afat mbi 1 vit, e pa destinim të caktuar, duke filluar nga data e paraqitjes së padisë 28 maj 2014, të gjitha këto në afat prej 7 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nën kërcënimin e përmbarimit me detyrim.
Ndërsa, në pikën e dytë të dispozitivit të aktgjykimit, gjykata ka vendosur të refuzojë si të pabazuar pjesën tjetër të kërkesëpadisë së paditëse, sa i përket shumës 500, 000.00 euro në emër të dëmtimit të imazhit, kurse në pikën e tretë të dispozitivit të aktgjykimit kishte vendosur që shpenzimet e procedurës kontestimore secila palë i bart veç e veç.
Kundër këtij aktgjykimi, e paditura përmes përfaqësuesit të saj, avokatit Diamant Zekaj, në afatin ligjor ka paraqitur ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore dhe të konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, me propozim që të ndryshohet aktgjykimi i shkallës së parë dhe të njihet vlera e borxhit real prej 32,934.52 euro, e cila tregohet edhe në bazë të pasqyrës financiare të RTK-së apo që e njëjta lëndë të kthehet në rigjykim dhe vendosje.
Mirëpo, paditësja e përfaqësuar nga avokati Korab Rexhepi kishte propozuar që Apeli ta refuzojë si të pabazuar këtë ankesë dhe ta vërtetojë aktgjykimin e atakuar.
Në këtë drejtim, Gjykata e Apelit kishte vlerësuar se ankesa e të paditurës është e themeltë.
Gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar se qëndrimi i gjykatës së shkallës së parë nuk ishte i drejtë dhe si i tillë nuk mund të pranohej, pasi thuhet se aktgjykimi i atakuar ishte i përfshirë me shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore.
Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se, kolegji i Gjykatës së Apelit, pas analizimit dhe shqyrtimit me kujdes të provave në shkresa të lëndës, ka ardhur në përfundim se ankesa e paditëses është e bazuar dhe se aktgjykimi i atakuar kishte të meta, për shkak të cilave nuk mund të vlerësohet ligjshmëria e aktgjykimit, sepse dispozitivi i tij është i pakuptueshëm dhe kontradiktor me vetveten dhe arsyet e aktgjykimit.
Pastaj, thuhet se ekzistojnë kundërthënie për faktet vendimtare midis asaj që jepet në arsyet e aktgjykimit dhe provave që gjenden në shkresat e lëndës.
Tutje, thuhet se në hyrje të aktgjykimit konstatohet vlera e kontestit në shumë prej 1,826,878.54 euro dhe çështja juridike kthim borxhi, ndërsa në dispozitiv të aktgjykimit gjykohet kërkesëpadia e paditëses në lartësi prej 2,326.878.54 euro në emër të pagimit të borxhit dhe kompensimit të dëmit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, në arsyetimin e aktgjykimit, gjykata e shkallës së parë konstaton faktin e pa kontestueshëm se për periudhën 1 maj e deri me 31 dhjetor 2012 është emituar emisioni “Kush do të bëhet milioner” dhe për këtë periodë e paditura i kishte mbetur borxh paditëses në shumë prej 428,831,54 euro.
Sipas Apelit, ky konstatim bie ndesh me deklarimin e paditëses së dhënë në seancën e 8 nëntorit 2016 dhe me ekspertizën financiare, e cila ka konstatuar se duke filluar nga 1 maji 2012 është ndërprerë emetimi i emisionit përkatës.
Apeli thotë se ky konstatim bie ndesh edhe me përgjigjen në padi, si dhe me deklarimet e të autorizuarit të paditurës të dhëna gjatë shqyrtimit gjyqësor, me të cilën theksohet se obligimi i të paditurës kundrejt paditëses është në lartë prej 32,934.52 euro.
Në vijim thuhet se gjykata e shkallës së parë, në seancën e datës 26 shkurt 2018, e ka refuzuar propozimin e të paditurës për nxjerrjen e provës materiale me ekspertizë tjetër financiare, ndërsa në aktgjykimin e atakuar nuk ka dhënë arsye për një veprim të tillë procedural.
“Sipas nenit 7.1 të LPK-së është paraparë: “ Palët kanë për detyrë të paraqesin të gjitha faktet mbi të cilat i mbështesin kërkesat e veta dhe të propozojnë prova me të cilat konstatohen faktet e tilla”. Ndërsa, sipas nenit 322, paragrafi 3 të LPK-së ka paraparë: “Pala e cila e konteston ekzistimin e ndonjë të drejte e bartë barrën e të provuarit të faktit që e ka penguar krijimin apo realizimin e saj, ose në bazë të të cilit ka pushuar se ekzistuari, po që se ligji nuk parasheh diç tjetër”, thuhet në aktvendim të Apelit.
E paditura RTK, me këtë provë të propozuar, kishte pretenduar të vërtetoj të kundërtën e asaj që pretendon paditësja dhe atë të cilën e ka konstatuar ekspertiza financiare e ekspertit Riza Blakaj.
Si rrjedhojë thuhet se shkeljet e tilla përfaqësojnë shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, që kanë pasur ndikim në marrjen e aktgjykimit të ligjshëm dhe të drejtë, andaj aktgjykimi i atakuar thuhet se është dashur të prishet.
Në riprocedurë, Apeli thotë se gjykata e shkallës së parë është detyruar të bëj eliminimin e shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore në pajtim me vërejtjet e paraqitura dhe të analizojë me kujdes të shtuar kontraktimin mbi emetimit televizor, në raport me provat që gjenden në shkresat e lëndës, dhe pastaj të vlerësoj të gjitha faktet me rëndësi vendimtare sipas kërkesave dhe kundërshtimeve të palëve, me qëllim që të nxjerrë një vendim të ligjshëm dhe të drejtë. /Insajderi.org
Discussion about this post