Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë të kënaqur me nivelin e pensioneve.
Kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka bërë me dije se pensioni prej 170 euro është e pamjaftueshme.
Sipas tij, kjo shumë nuk mjafton as për nevojat shëndetësore të kësaj kategorie të luftës.
“Të gjithë e dimë se sa është i mjaftueshëm një pension prej 170 eurosh, sidomos në këtë kohë krize. Ne e kemi diskutuar edhe më herët kur kemi pasur takime me kryeministrin dhe ja kemi paraqitur këto shqetësime tona. Kemi probleme me invalidë të luftës të cilët po përballen me proteza, me probleme shëndetësore. Ju kam adresuar me një kërkesë kryeministrit pikërisht për këto probleme. E kam pritur në zyrë këshilltarin e Kurtit dhe i kemi diskutuar të gjitha problemet dhe hallet dhe kemi kërkuar që të merren hapat nga institucionet në këtë drejtim”, ka thënë ai.
Ai ka treguar për diskutimet që ka pasur me kryeministrin Albin Kurti për këtë çështje.
Ai shpreson që kryeministri të reflekton në këtë drejtim.
“Unë i kam pasur dy takime më herët me kryeministrin dhe i ka që dy vjet që ka ndodhur takimi i parë. Edhe së fundi e kemi pasur një takim para një viti. Edhe pse ja kemi paraqitur të gjitha ato kërkesa, ato shqetësime tona, nuk kemi marrë asnjë përgjigje pozitive. Po shpresojmë që më në fund do të reflektojë Qeveria duke pasur parasysh gjendjen e këtyre kategorive. Kemi kërkuar që të përfshihemi në ligjin për Pagën minimale, derisa është arsyetuar Qeveria se është duke e nxjerrë një ligj të veçantë, i cili do t’i trajtojë dinjitetshëm këto kategori, pra të përfshihemi në pagën minimale”, ka thënë Qeriqi për EO.