Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot në orën 10:00 ka pritur në takim komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s, Stuart Mancha, në ndërtesën e sekretariatit të përgjithshëm të presidentit të Serbisë.
Pas takimit, Vuçiqi ka thënë se ka kërkuar nga NATO-ja mbrojtjen e popullit serb në Kosovë, transmeton Zeri.info.
“Bisedë e mirë me admiralin Mancha. I kërkova NATO-s të mbrojë popullin tonë në Kosovë dhe Metohi dhe falënderova për mirëkuptimin e politikës së neutralitetit të Serbisë”, shkroi Vuçiqi në profilin e tij në Instagram.
Manchi tha dje në një intervistë për “Tanjug”-un se KFOR-i po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës dhe është i gatshëm të sigurojë një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet kudo në Kosovë, në përputhje me mandatin e bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të veprojnë në mënyrë konstruktive, për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë për barrikadat që kanë hyrë në ditën e 11-të, ndërsa ka paralajmëruar se edhe institucionet e Kosovës kanë kapacitete për t’i larguar ato. /Zëri