Xhevdet Pozhari është një nga figurat që ka përfituar poste prej pushteteve të ndryshme në Kosovë.
Pozhari, i cili njihet për afërsinë dhe analizat e tij pro Lëvizjes Vetëvendosje, aktualisht është i angazhuar si ekspert i jashtëm në Ministrinë e Shëndetësisë, duke sqaruar që nuk paguhet nga paratë e taksapaguesve kosovarë.
Ai kishte treguar se në këtë ministri që aktualisht drejtohet prej ministrit Arben Vitia, kishte punuar edhe më parë në pozitën e këshilltarit për media. Megjithatë, ky nuk është posti i vetëm politik dhe publik që Pozhari e ka përfituar së fundmi.
Para se të njihej në publik si analist politik, Pozhari kishte qenë këshilltar i Fatmir Limajt, tregon një dokument të siguruar nga Paparaci.
Ky i fundit, në kohën kur kishte qenë ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit e kishte afruar afër vetes Pozharin.
Më saktësisht, ishte 1 prilli i 2010’s kur Pozhari emërohet këshilltar politik dhe zëdhënës i kësaj ministrie që atëkohë drejtohej nga Limaj i PDK-së, tash kryetar i Nismës Socialdemokrate. Rroga e tij bruto kishte qenë 577.50 euro.
Sidoqoftë, Pozhari kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë pas një viti për arsye ende të pazbardhura, njashtu siç janë edhe këshillat e tij karshi Limajt.
Por, të mirat për Pozharin nuk do të mbaronin atë kohë. Deri më 2013 nuk dihet se çfarë punë bënte Pozhari, edhe pse marrëdhëniet i kishte kryesisht të mira me krejt pushtetet.
Po atë vit, kryetar i Prishtinës zgjedhet Shpend Ahmeti, nën ombrellën e LVV-së. Kësisoj, Pozhari kishte “nuhatur” të mirat që mund t’i vinin pas fitores së Vetëvendosjes në kryeqytet.
Prandaj, Ahmeti e shpërblen atë me pozitën zëdhënësit. Krejt më pas, Pozhari iu kthye gazetarisë për disa vite.
Ai, zhvilloi disa intervista me njerëz të ndryshëm e që transmetoheshin dikur nëpër televizione dhe portalin e tij.
Pavarësisht pozitave të mbajtura, Pozhari prapë se prapë njihet si analist e përkrahës i pashoq i kryeministrit Albin Kurti sesa për të kaluarën në institucione, veçmas në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Aq shumë e përkrah Kurtin, saqë Pozhari nuk kishte ngurruar t’i ofendojë edhe disa prej politikanëve opozitarë, vetëm për t’i dalë në mbrojtje shefit të qeverisë.
Ndonëse nuk ishte gjithnjë përkrahës i LVV-së, Pozhari tani lavdëron goxha shpesh punët e ekzekutivit, e në veçanti ato të shefit të tij, Arben Vitia, sikur qysh bënte me të tjerët, veçse në rrethana e pushtete të ndryshme.