Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se të mërkurën bashkë me kryeministrin Avdullah Hoti do t’i shpallin masat e reja.
Por, ai tha se shkollat do të vazhdojnë të punojnë sipas masave që veçse janë ndërmarrë dhe se do të bëjnë çmos që të mos i mbyllin, ato të nivelit fillor dhe të mesëm, njofton Klan Kosova.
Ndërkaq, ai paralajmëroi mbyllje për qendrat tregtare dhe në ato vende ku po grumbullohen njerëzit, të cilat edhe i bëri përgjegjëse për rritjen e infeksionit.
“E kemi një standard në shkolla ku çdo pesë për qind, qoftë e nxënësve, qoftë e mësimdhënësve, nëse rezultojnë pozitivë kalojnë nga plani A në planin B dhe do të mbikëqyrën. Shkollat do të bëjmë të pamundur që të mos i mbyllim në nivelin fillor dhe të mesëm, ndërsa universiteti ka kaluar online”.
“Në aspektet tjera ka dhe do të ketë edhe kufizim të lëvizjeve edhe mbyllje të qendrave tregtare. Ky vlerësim është sepse grumbullimet janë bërë shkaktarë të infeksionit”.
“Është duke u analizuar gjendja edhe me protokollet dhe udhëzuesit, si dhe me OBSH-në. Kemi folur edhe me kryetarët e komunave dhe do të shkojmë me tri nivele: Zona e gjelbër, zona e verdhë dhe zona e kuqe. Prishtina e ka kaluar numrin dhe tani gjendet në zonën e kuqe. Prishtina është atakuar shumë në këtë dyjavësh dhe domosdoshmërisht duhet të jenë masat më të ashpra se në komunat tjera. Por edhe në disa komuna ka rritje të rasteve dhe nesër do ta kemi të qartë hartën epidemiologjike”.
“Jemi përballë me rritje të numrit të infeksioni është një diametër i njëjtë që po lëvizë, por duhet ta parandalojmë dhe të mos lejojmë që raste spitalore të jenë në rritje. Është ngarkesë e madhe për profesionistët tanë shëndetësorë. Masat që do të ndërmerren jo vetëm të zbatueshme por të domosdoshme për parandalim”.
Zemaj tha se masat që do të prezantohen nesër do të jenë pothuajse të njëjta me disa lehtësi në aktivitete ekonomike, por ai tha se do t’u jepet kohë qytetarëve për t’u informuar.
Por, a po i kundërshtojnë masat e propozuara nga Zemaj, ministrat e tjerë të kabinetit Hoti?
“Në përgjegjësi të plotë e them s’ka kundërshti nga kabineti qeveritar. Janë masa të propozuara nga IKSHPK. Mbi të gjitha na obligon ligji për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse dhe atij të COVID-19. Ne bëjmë edhe debate të brendshme, por asnjë ministër s’i ka kundërshtuar masat. Ka propozime dhe ne i elaborojmë. I kam diskutuar edhe me kryetarë të komunave”.
Discussion about this post