Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se nëse vazhdon rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus, do të mund të ketë “masa të reja shtrënguese të domosdoshme”.
Duke përmendur sfidat me pandeminë, ai ka folur edhe për rezultatet që thotë t’i ketë arritur.
“Në dy ditët e fundit kemi pasur rritje të rasteve me Covid-19, që na jep të kuptojmë se nuk është momenti për të ulur ritmin e angazhimeve, inspektimeve dhe masave të tjera kundër këtij infeksioni. Për më tepër, shohim se mungesa e disiplinës në institucione të ndryshme, komunitet dhe gjithashtu edhe fluksi I ardhjes së qytetarëve tanë nga vendet me rrezik më të lartë, kanë bërë që të ketë një rritje, e cila nga ne kërkon angazhim dhe kujdes maksimal”, tha ai.
Zemaj shtoi se më 25 shtator është bërë lirimi i masave, porse, siç shprehet ai, nëse nuk përcillen udhëzimet dhe nuk respektohen masat, “në ditët në vijim, masa të reja shtrënguese janë të domosdoshme”.
“U bëj thirrje qytetarëve që të vazhdojmë me disiplinë në: Bartjen e maskës, ruajtjen e distancës dhe mbajtjen e higjienës”, tha ai.
Në dy ditët e fundit, shtoi Zemaj, ka rritje të rasteve me të infektuar me Covid 19: dje 79, kurse sot 80 raste pozitive nga 764, përkatësisht nga 566 mostra të 24 orëve të fundit.
Discussion about this post