U.d. i drejtorit të SHSKUK’së, Valbon Krasniqi, ka thënë se kanë punuar në tri drejtime për ta menaxhuar situatën me COVID-19 në Kosovë dhe se sipas tij të trija janë përmbushur.
“Qysh tani kemi rreth 900 shtretër që do t’i vëmë në dispozicion për pacientët që do kenë nevojë. Do kemi shpejt specializantët e ri të punësuar tash, do kemi rreth 2000 staf shëndetësor dhe kemi përmbyllur shumicën e kontratave të barnave për trajtimin e pacientëve. Këto janë tri drejtime të rëndësishme që i kemi përmbyllur ose janë në përfundim të përmbylljes”, tha ai.
Ai thotë se në tetor vërehet rritje e numrit të rasteve pozitive me koronavirus në vend, ndërsa shton se 147 pacientë janë të shtrirë në klinika dhe spitalet e Kosovës.
“Gjatë tetorit ishim më të qetë dhe kishim raste më të vogla. Muajt më të vështirë i kishim korrikun dhe gushtin. Gjatë tetorit jemi më të qetë megjithatë javën e fundit vërehet një tendencë në rritje të numrit të pacientëve dhe rasteve të reja. Sot kemi 226 pacientë të shtrirë, prej tyre 147 të konfirmuar me COVID dhe të tjerë në pritje të rezultatit”, tha Krasniqi në Express Intervistë në KTV.
Sipas Krasniqit, lirimi i masave, hapja e shkollave, universiteteve, gastronomisë ka ndikuar në rritjen e rasteve.
Ai shton tutje se 12 pacientë aktualisht në QKUK janë në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e COVID-19.
“Në mjekimin intenziv i kemi 12 pacientë që janë në gjendje më të rëndë. Kemi vërejtë se gjatë javës së fundit pothuajse për çdo ditë kemi pasë shtim të numrit nga 7 në 10 pacientë në raport me fillimin e muajit shtator. Pra është rritë numri i të shtrirëve”, ka shtuar ai.
Se a do të përballet QKUK’ja me mbyllje të shërbimeve në klinika dhe lëshimit të tyre për nevojat e pacientëve të infektuar me virus, Krasniqi thotë se do të varet nga situata epidemiologjike.
Ai thotë se numri më i madh i të infektuarve po vjen nga institucionet publike, përfshirë administratën, për shkak të grumbullimit të njerëzve.
Krasniqi derisa ka folur mbi terapinë që po u jepet pacientëve me COVID-19, ka thënë se ajo bazohet nga gjendja e pacientit
“Nuk do krijojmë iluzion se ky apo ai bar do ta shpëtojë pacientin, por ajo që e shpëton pacientin është parandalimi”, tha ai.
Krasniqi i cili është infektolog ka thënë se kanë marrë masat edhe për furnizimin me oksigjen, për të cilën thotë se janë bërë përgatitjet për furnizim me oksigjen të lëngshëm në të gjitha spitalet.
“Tani nuk kemi nevoja të shtuara për oksigjen, ashtu si edhe nevoja për medikamente të tjera është e ulët. Duke pa nevojat në botë, kemi bërë përgatitje dhe jemi në proces të sigurimit të mekanizmave të oksigjenit të lëngshëm nëpër të gjitha spitalet tona”, ka përfunduar ai.
Discussion about this post