Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se gjendja me COVID-19 po rëndohet ditët e fundit, ndërsa nuk mohon mundësinë që Kosova të jetë në prag të një vale të re me koronavirus.
“Gjatë këtyre ditëve kemi pasur trend në rritje të rasteve të të infektuarve dhe është përcjellë më rritje te rasteve për trajtim spitalor. Gjatë janarit dhe shkurtit kemi pasë situatë të qetë, por tash, sidomos këtë javë kemi hyrë në fazë me trend në rritje të të infektuarve”, tha ai.Krasniqi tha se krahasuar me dy muajt paraprak kur numri i të hospitalizuarve nga COVID-19 ishte rreth 460, tash thotë se ka shkuar në 573 për shumë më pak ditë. Shton se kjo është një rritje e të hospitalizuarve për 15 për qind.
Pikërisht këto, thotë Krasniqi, janë indikatorë se Kosova mund të përjetojë një valë të re.
Ai nuk i vë faj vetëm fushatës zgjedhore me tubimet partiake për numrin në rritjeve të rasteve, por thotë se ka edhe arsye të tjera.“Grumbullimet gjatë fushatës njihen si super shpërndarës të virusit dhe kanë rolin e vet, por kanë ndikim edhe aktivitetet e tjera. Si duket ka filluar një humbje e përqendrimit individual dhe kolektiv ndaj pandemisë. Nuk guxojmë të shpërqendrohemi. Çdo mosrespektim i masave shkon me shpërndarje më të madhe të virusit”, tha ai në Ktv.
Krasniqi tha se duhet të respektohen masat që janë në fuqi.“Jemi në situatë të re, kur jemi në prag të një vale tjetër të mundshme. Qytetarët kanë të drejtë të jenë të zhgënjyer sjelljen e partive gjatë fushatës por nuk guxojmë të lejojmë që për arsye të ndryshme të rrezikojmë shëndetin. Duhet të respektojmë masat, patjetër e kemi kërkuar t’i respektojnë qytetarët dhe institucionet të shtojnë aktivitete për mbikëqyrjen e masave”, tha Krasniqi.“Gjendje po rëndohet, kemi rritje të numrit të rasteve që po kërkojnë trajtim spitalor”, tha ai.
Discussion about this post