Ndonëse gripi sezonal ende nuk ka arritur pragun epidemik, IKSHPK-ja u bën thirrje qytetarëve të Kosovës për kujdes të shtuar për shkak të intensitetit të shtuar të rasteve me grip.
Prej 1 tetor deri më 9 dhjetor 2021 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 9.788 raste të sëmundjes të ngjashme me grip, 2.033 raste infeksione respiratore akute dhe 57 raste me Infeksion të rëndë respirator akut.
Në laboratorët e Qendrës kombëtare të gripit është identifikuar tipi A i gripit sezonal, subtipi H3, i cili gjendet në komponentin e vaksinës së gripit, e cila mbron personat e vaksinuar.
Gjatë 24 orëve të fundit në Klinikën Infektive, Klinikën e Pediatrisë dhe spitalet rajonale janë hospitalizuar 6 raste me infeksione akute respiratore.
Virusi A bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm sezonal, por rekomandohet vaksinimi për të gjithë personat e moshuar, personat me sëmundje kronike dhe personat me imunitet të dobësuar.
IKSHPK ka dhënë edhe disa këshilla se si të mbroni veten dhe të tjerët:
* Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
* Nëse keni shenja të gripit, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore!
* Të reduktohet numri i vizitave të familjarëve te personat e hospitalizuar (SHSKUK, spitalet rajonale).
* Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz!
* Nëse keni shenja të gripit mbani distancë të paktën një metër prej njerëzve!
* Mbuloni hundën dhe gojën me faculetë në rast të kollës apo teshtitjes!
* Hidhni faculetën menjëherë pas përdorimit në shportën e mbeturinave!
* Shmangni prekjen e syve hundës apo gojës me duar të pa pastruara!
* Nëse keni shenja të gripit, mos shkoni në punë, shkollë apo vende me shumë njerëz, por qëndroni në shtëpi!
* Shmangni përqafimin, puthjen dhe shtrëngimin e duarve kur përshëndeteni!
* Pastroni rregullisht duart me ujë dhe sapun dhe dezinfektoni ambientin ku qëndroni!
* Ushqehuni shëndetshëm duke përdorë më shumë vitamina dhe bëni aktivitet fizik!
Discussion about this post