Ditëve të fundit Kosova ka shënuar rritje të rasteve të reja më koronavirus. E përkundër kësaj drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi thotë se aktualisht situata me koronavirus është e menaxhueshme dhe ende kanë kapacitete spitalore.
Krasniqi thotë se janë duke i përcjellur shifrat dhe tani për tani do vazhdohet me masat antiCOVID që janë në fuqi.
Drejtori i SHSKUK-së ka kërkuar mbikëqyrje më të rreptë të masave kundër përhapjes së pandemisë.
“Tani për tani jemi duke e përcjell situatën dhe varësisht nga numri i rasteve që eventualisht mund të paraqiten, atëherë̈ mund të propozohen masat e tjera të reja. Tani për tani vazhdojmë me këto masa të cilat janë në fuqi. Ju e dini që ende janë në fuqi zonimi i komunave me ngjyrë të kuqe, gjelbër dhe verdhë, varësisht nga numri i rasteve të reja brenda ditës për një javë që paraqiten në secilën komunë veç e veç dhe nëse eventualisht kemi shtim të rasteve dhe rrezikohen kapacitetet spitalore, veprojmë. Vetëm duhet të rritet mbikëqyrja nga ana e mekanizmave mbikëqyrës që për zbatimin e këtyre masave”, theksoi ai.
Krasniqi thotë se duke parë shifrat e ditëve të fundit, presin një rritje të të infektuarve me koronavirus.
“Jemi duke e përcjellur me vëmendje të posaçme situatën epidemiologjike të këtyre ditëve dhe presim një rritje. Shpresojmë̈ të mos jetë ndonjë rritje enorme dhe të papërballueshme, sidoqoftë ne si SHSKUK i kemi marrë masat të cilat kanë qenë në dorën tonë që të përgatitemi sa më mirë që të jetë e mundur për një valë të re të mundshme të pandemisë COVID-19. Konkretisht ju e dini që kemi ndërruar komplet sistemin e furnizimit të oksigjenit në nivel vendi nga furnizimi me boca të oksigjenit kemi kaluar në atë të lëngshëm, pra me rezervuar dhe jemi duke kryer edhe zgjerimin e rrjetit qëndror nëpër klinika…. me këtë sistem të ri të furnizimit ne nuk presim që të kemi probleme (me oksigjen) dhe jo vetëm tash por kjo do bëhet një zgjidhje për 20-30 vitet e ardhshme”, theksoi Krasniqi.
Meqenëse në Kosovë në fillim të muajit janar u konfirmuan tri rastet e para të variantit britanik të COVID-it, Krasniqi deklaron se deri tani nuk është vërejtur ndonjë ndryshim sa i përket formës së rëndë të sëmundjes, por nuk e përjashton mundësinë që në Kosovë të ketë edhe më shumë raste me variantin britanik të virusit.
Meqenëse Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend të rajon që nuk ka siguruar ende asnjë dozë të vaksinës anti-COVID, Krasniqi thotë se janë duke pritur që të vinë vaksinat në mënyrë̈ që të fillojë vaksinimi i kategorive me prioritet që iu prinë personeli shëndetësor.
Discussion about this post