Të martën do të mbledh Komitetin për vlerësimin e situatës me koronavirus. Në këtë takim, do të jepen propozimet për masat anti-covid si dhe do të jepen propozime të reja në bazë të vlerësimit të situatës së deritanishme
Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili tha se takimi do të mbahet të martën në orën 16:30.
“Nesër në orën16:30 e kam thirrur Komitetin për vlerësim të situatës me koronavirus. Do të japim propozimet për masat, vlerësimin dhe propozimet e reja”, ka deklaruar Zemaj.
Në Komitetin për vlerësimin e situatës me koronavirus përfaqësohen disa institucione qeveritare të ndërlidhura me aktivitetet e Planit të gatishmërisë dhe reagimit ndaj Koronavirusit Covid -19.
Se të martën do të diskutohen masat anti-Covid e ka konfirmuar edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi.
Ai ka takuar sot përfaqësues të Shoqatës së Gatronomëve, të cilët i ka njoftuar për shqyrtimin e masave.
“Si ministër ofrova përkrahjen time të plotë për këtë sektor, shumë të goditur për shkak të pandemisë dhe i njoftova se nesër do të jetë mbledhja e komitetit ndërministror kur do të shqyrtohen masat anti-Covid të cilat priten të lehtësohen”, ka deklaruar Krasniqi.
Masat aktuale anti-Covid, janë vendosur nga Qeveria e Kosovës më 27 korrik, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Një ndër masat që po kundërshtohet nga qytetarët dhe Shoqata e Gastronomeve është kufizimi i orarit të lëvizjes deri në orën 22:30.
Madje, për këtë masë, gastronomët kanë protestuar para disa ditësh, duke gjuajtur çelësat e lokaleve para objektit të Qeverisë.
Ata dje kanë thyer pjata para objektit të Qeverisë së Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj këtyre kufizimeve, derisa kanë paralajmëruar edhe një protestë tjetër gjatë ditëve në vijim.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, ka thënë se do të protestojnë më 25 shtator, para Kuvendit dhe Qeverisë.
“Përmes këtij akti simbolik po shprehim pakënaqësitë tona ndaj mospërkrahjes financiare nga institucionet e Kosovës si dhe mos shfuqizimin e masave ndaj gastronomisë. Po ashtu, iu bëjmë thirrje të gjithë gastronomëve që t’i bashkëngjiten këtij aksioni simbolik, e po ashtu edhe protestës më 25 shtator në ora 14:00, para parlamentit dhe Qeverisë”, ka thënë Kllokoqi./GazetaExpress/
Discussion about this post