Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi tha se gjatë muajit janar mund të ketë rritje të numrit të të infektuarave me koronavirus.
Edhe pse thotë se nuk mund të bëhen parashikime në këtë drejtim, ai shprehet i bindur se zbulimi i vaksinave do të mundësojë që të menaxhohet me këtë situatë.
“Tashmë as shkencëtarët botërorë nuk po kanë guxim për të bërë parashikime sa i përket ecurisë së mëtutjeshme të kësaj pandemie. Është fat i mirë që tani kemi vaksinën në përdorim dhe ka filluar të aplikohet në disa shtete dhe presim që edhe Kosova ta marrë atë shpejt dhe presim që vaksinimi të ulë trendin e kësaj pandemie”.
“Megjithatë përderisa nuk e kemi vaksinën në përdorim dhe e kemi virusin prezent neve na mbetet vetëm t’i zbatojmë masat. Kështu që mund të jetë e pritshme që të kemi prapë faza të tilla të rritjes së numrit të pacientëve, por kjo do të varet nga aplikimi i vaksinës në vendin tonë”.
Tutje, ai ka folur edhe për masat që kanë marrë sa i përket menaxhimit me pandeminë, ku ka përmendur shtimin e numrit të shtretërve dhe sigurimin e oksigjenit.
“Ne qysh gjatë korrikut dhe gushtit kur u ballafaquam me fluksin e dytë të numrit të madh të pacientëve, bëmë identifikimin e hapësirave të cilat do të mund t’i përdorim tash në nëntor dhe dhjetor. Kështu bëmë një plan dhe arritëm që vetëm në QKUK të shtojmë këtë kapacitet të shtretërve, që 200 shtretër të kyçen në oksigjen qendror”.
“Përforcuam sistemin e oksigjenit, siguruam oksigjenin dhe identifikuam rreth 90 shtretër dhe 100 shtretër të tjerë. Më të ngarkuara gjatë kësaj kohe ishin spitalet e mëdha sidomos ai i Prizrenit, i Gjakovës dhe Pejës. Varësisht nga nevoja ne do të shtojmë shtretër”, tha ai për EO.
Krasniqit shtoi se QKUK-ja ka siguruar pajisje shtesë mjekësore, ku mund të bëhen analizat e diagnostikimit të kancerit të gjirit.
Po ashtu, sipas tij, një shërbim që ofrohet për herë të parë në QKUK është Brahiterapia që nuk gjendet as në klinikat private në Kosovë.
Discussion about this post