Kosova është gati që të përballet me valën e dytë të koronavirusit. ‘Garancia’ vjen nga drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadanit.
Ai ka thënë se vala e dytë e COVID-19 pritet të jetë nga tetori, ndërsa është shprehur i bindur se Kosova është e gatshme ta përballojë atë me sukses.
“Ne vlerësojmë se jemi të përgatitur që t’i dalim përballë valës së dytë të koronavirusit që pritet të jetë në gjithë botën prej tetorit”, ka thënë Ramadani.
Këto komente, drejtori i IKSHPK-së i ka bërë gjatë një vizite të përbashkët me ministrin Armend Zemaj në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë.
Ramadani gjithashtu ka thënë se e kanë bërë planin e vaksinimit të qytetarëve ndaj gripit sezonal dhe më pas edhe me vaksinën kundër COVID-19, që sipas tij pritet të dalë së shpejti dhe t’i ofrohet Kosovës me prioritet.
Discussion about this post