Pas nëntë muajve me përballje të pandemisë COVID-19, të enjten krerët e dikasterit të shëndetësisë pohuan se furnizimi me oksigjen nuk është fort i kollajshëm.
Veçse po e bëjnë të pamundurën që pacientëve të infektuar të mos ju mungojë asnjë shërbim, njofton Klan Kosova.
“Furnizimet janë të rregullta por me vështirësi”, tregoi i pari i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Megjithatë u bë me dije që askush deri më tani nuk ka pësuar nga mungesa e gazit medicinal.
Derisa edhe njëra nga spitalet rajonale të mërkurën mbrëma u deklaruan për televizionin se kanë filluar të kenë telashe me furnizim.
“Sot kemi pas disa transferime për shkak të disa vështirësive në furnizimin me oksigjeno-terapi, kemi qenë të detyruar që pacientët që kanë qenë në nivel më të lartë të furnizimit me oksigjenoterapi të transferohen për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës” deklaroi pulmologu Hajdin Lata nga Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj.
Aktualisht Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar e furnizon me oksigjen kompania “Medical Group” kurse kompania “Medika” është në pritje për ta nënshkruar kontratën me SHSKUK-në.
Ndërkaq N.P.T “ Lindi”, kompani kjo që bënë importin e gazit medicinal së fundmi ka aplikuar për licencë tek Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale, por që nuk është licencuar për shkak të mos plotësimit të dy kushteve kryesore.
Ani se gjatë verës u raportua se kjo kompani kishte furnizuar spitalet me oksigjen.
Discussion about this post