54 është numri i pacientëve që po trajtohen në Spitalin Rajonal të Pejës, gjersa 32 prej tyre janë me oksigjenoterapi, shkruan Gazeta Sinjali.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i Spitalit Rajonal të Pejës, Skënder Dreshaj, i cili tha se gjendja me COVID-19 në këtë qytet është në gjendje të mirë dhe se nuk ka rritje të numrit të rasteve të reja.
Ai po ashtu tha se gjendja e furnizimit me oksigjen është stabile në këtë spital.
“Gjendja ka disa ditë qe nuk kemi rritje të numrit të rasteve. Gjendja e furnizimit me Oksigjen është stabile. Vazhdojmë të ofrojmë edhe shërbimet specialistike dhe shërbimet kirurgjike elektive”, tha ai për Sinjalin.
Po ashtu, Dreshaj bëri të ditur se stafi në këtë spital është i lodhur si pasojë e punës së pandërprerë që nga muaji mars, por sipas tij, nuk ka ngecje.
“Stafi është pak i lodhur nga puna e pandërprerë nga muaji mars megjithatë nuk kemi ngecje. Kemi filluar të lejojmë nga 5 ditë pushimit vjetor në njësitet ku mund të organizohet puna pa pengesë”, përfundoi Dreshaj.
Discussion about this post