Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, thotë se Kosova është në mesin e 92 vendeve që do të marrin vaksinën anti-Covid për 20 për qind të popullsisë. Pjesën tjetër, Zemaj thotë se shteti do ta blejë vetë. Në një intervistë për Gazetën Express, ministri ka folur edhe për ankesat e qytetarëve të cilët thonë se po detyrohen t’i blejnë vetë ilaçet për trajtimin e koronavirusit
Zemaj ka deklaruar se me rritjen e numrit të testimeve, është rritur edhe kërkesa për teste shtesë. Për këtë, ai thotë se përmes tenderit të shpallur po synohet që të sigurohen edhe 300 mijë teste PCR dhe 10 mijë teste serologjike.
I pari i Shëndetësisë ka deklaruar se pacientëve të infektuar me koronavirus të cilët janë të hospitalizuar në ShSKUK, ju sigurohen të gjitha ilaçet, përveç barit Rendesivir, për të cilin thotë se do të sigurohet.
Zemaj ka folur edhe për masat që do të merren për festat e fundvitit. Ai deklaron se për momentin, do të mbesin në fuqi masat që janë marrë në nëntor. Thotë se është herët të dihet si do të veprohet në mënyrë specifike me cilin sektor për fundvit.
Ai deklaron se plotësimi i Ligjit për Shëndetësi, i cili i hap rrugë sigurimeve shëndetësore, është në fazën finale dhe shpejt pritet të adresohet në Qeveri për miratim, e më pas të procedohet në Kuvend.
Ministri Zemaj
Gazeta Express: Ka ankesa të vazhdueshme nga qytetarët se po duhet ta sigurojnë vetë terapinë për trajtimin e COVID-19. Megjithatë ju keni deklaruar se ua keni siguruar terapinë pacientëve. Saktësisht cilat barna po ju sigurohen falas qytetarëve?
Armend Zemaj: Çdo pacient që është i infektuar me Coivd-19 dhe është i Hopsitalizuar në ShSKUK, me përjashtim të barit Rendesivir ( i cili edhe ky do të sigurohet ), çdo gjë tjetër iu vihet në dispozicion. Favipiravir-in e kemi të siguruar për pacientët tash e një kohë, 22 mijë copa. Kushdo që nuk arrin ta marrë këtë tabletë nga spitalet dhe i kërkohet që ta blejë, le të lajmërojnë kudo që e vlerëson.
Gazeta Express: Keni thënë se në Austri keni kërkuar ndihmë për sigurimin e vaksinës anti-Covid, cila është përgjigja që morët nga austriakët? Dhe, ku qëndron Kosova me procedurat për sigurimin e vaksinës?
Armend Zemaj: Gjatë vizitës në Vjenë të Austrisë kisha takime shumë frytdhënëse me miqtë e mëdhenj te Kosovës si me ministrin federal i Shëndetësisë, Çështjeve sociale, Përkujdesje dhe Mbrojtjen e konsumatorit, z. Rudolf Anschober, pastaj me euro deputetin z. Lukas Mandl, z. Erhard Busek, z. Gerhard Gretzl, znj. Elisabeth Campestrini, z. Gerhard Knorr dhe z. Ëolfgang Schaffer, por jam pritur edhe nga Oda e Mjekëve të Austrisë. Nga këta të fundit kam marrë mbështetje sa i përket specializimeve dhe supspecilaizimeve ndërsa po ashtu gjatë takimeve të ndara me personalitetet e shquara të shtetit miq të Kosovës Austrisë u rikonfirmua mbështetja dhe përkrahja e mëtejme jo vetëm në fushën e shëndetësisë por edhe në atë të edukimit, infrastrukturës dhe në shumë fusha të tjera.
Ndërsa sa i përket Vaksinës anti – Covid, Kosova ka aplikuar zyrtarisht në COVAX, që është një mekanizëm i organizuar nga GAVI (Aleanca e vaksinave, i krijuar me qëllim të garantimit të qasjes së shpejtë, të drejtë dhe të barabartë në vaksinat COVID-19 për çdo vend të botës, në veçanti për vendet me të hyra të ulëta dhe të mesme.
Kjo aleancë ku bëjnë pjesë OBSH, UNICEF, Banka Botërore, fondacione të ndryshme, shoqëri civile dhe industria e vaksinave, ka listuar Kosovën në mesin e 92 vendeve që vaksinat për 20% të popullatës do t’i marrin falas. Pjesën tjetër, varësisht sa do të kërkohen, Kosova do t’i blejë vet.
Koha kur vaksina do të jetë e qasshme varet nga dinamika me të cilën COVAX do t’i sigurojë vaksinat nga prodhuesit e tyre për shtetet të cilat do t’i ndihmojë që ta sigurojnë këtë vaksinë.
Aplikimi zyrtar në GAVI-COVAX nuk do të thotë se Kosova nuk do të shfrytëzojë edhe rrugë të tjera për të siguruar vaksina shtesë, sipas nevojës, përtej shifrës së 20% të vaksinave që do merren falas (apo rreth 360 mijë vaksina) nga COVAX, me që synimi është që të imunizohen kategoritë më të ekspozuara dhe rrezikuara nga COVID-19. Përderisa si MSH po punojmë për sigurimin e vaksinës anti-Covid, IKSHP po punon në sigurimin e pajisjeve të nevojshme teknike për ruajtjen dhe shpërndarjen e vaksinës në të gjitha komunat.
Gazeta Express: Në çfarë faze janë aktualisht procedurat për jetësimin sigurimeve shëndetësore dhe Shërbimit Informativ Shëndetësor? Deri ku ka shkuar puna e Bordit Drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore?
Armend Zemaj: Që nga marrja e mandatit kam thënë se do të bëjmë̈ realitet sigurimet shëndetësore dhe ashtu edhe do të ndodhë. Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është në funksion të plotë për t’u ofruar qytetarëve sigurime shëndetësore dhe mburojë financiare. Bordi Drejtues i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, si organi më i lartë vendimmarrës i fondit në pajtim me Ligjin për Sigurimin Shëndetësor është duke punuar intenzivisht në plotësim ndryshimin e Ligjit për Shëndetësi, i njëjti është në fazën finale dhe shumë shpejtë do të adresohet tek kabineti qeveritar për miratim dhe pastaj të procedohet edhe në Kuvend.
Gazeta Express: Keni deklaruar se në bazë të situatës me koronavirus, do të merrni vendimin për masat që do të merren për festat e fundvitit. A keni hartuar ende ndonjë plan, a do të lehtësohen masat apo do të ndiqni praktikat e vendeve tjera të Europës për mbyllje të vendit?
Armend Zemaj: Masat në fuqi kanë parandaluar një rritje eksponenciale te rasteve, dhe kjo është vërejtur edhe me lëvizjen që ka pasur nëpër komuna sa i përket kategorizimeve që bëhen në bazë të shtrirjes së infeksionit.
Që nga e premtja kemi kategorizim të ri të komunave dhe fatmirësisht kemi lëvizje për të mirë ku 5 komuna nga zona e kuqe kanë kaluar në zonën e verdhë dhe 7 komuna janë nga zona e verdhë në zonën e gjelbër.
Me trendin e tanishëm të rasteve pozitive ne SARS COV-2 (Covid-19) dhe ngarkesën aktuale të spitaleve (QKUK dhe 7 spitalet e përgjithshme), nënkuptohet që do të jenë në fuqi masat e ndërmarra në nëntor nga Qeveria sipas propozimeve nga MSh.
Situata epidemiologjike analizohet në baza të rregullta dhe në varesi të asaj se sa është numri i të infektuarve, sa është numri i të shtrirëve në spital dhe cilat janë projeksionet, edhe mund të propozohen masa të reja.
Por për momentin, do te vazhdohet me këto që janë në fuqi dhe është ende herët të dihet se si do të veprohet në mënyrë specifike me secilin sektor apo veprimtari në fund të vitit.
Gazeta Express: Numri i testimeve është rritur, por sa teste PCR për Covid i ka Kosova në dispozicion? A keni kërkuar furnizime shtesë?
Armend Zemaj: Rritja e numrit të testimeve ndikon në shpenzime më të mëdha të stokut të testeve PCR.
IKSHPK për momentin ka teste të mjaftueshme, por meqë qëllimi është që numri i testimeve të rritet, MSh ka hapur procesin për sigurimin e testeve të tjera.
Përmes tenderit të hapur/shpallur me procedurë të rregullt synohet të sigurohen 300.000 teste RT PCR, 10.000 teste serologjike IgM dhe IgG si dhe material harxhues laboratorik që është i nevojshëm për të kryer testime.
Janë rreth 40 lloje/artikuj të produkteve të ndryshme që kompletojnë zinxhirin e testimeve të shpallura në kontratën kornizë.
Për momentin IKSHPK ka teste që i mundësojnë mbajtjen e këtij niveli të testimeve, por meqë synimi është që përveç IKSHPK-së, të fillohet tash edhe me testime Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik, numri i testimeve të rritet edhe më tej. Testime të tjera gjithashtu do të blihen (100.000) përmes UNOPS-it, kështu që MSH e IKSHPK presin rritje të numrit të testimeve, jo krizë.
Discussion about this post